“Shpërbërja e UNRWA-së do të tërheqë rajonin drejt zjarrit”

Zyrtarët e Organizatës Çlirimtare Palestineze dhe analistët palestinezë theksojnë se punimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shpërbërë Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) do të shkaktojnë tërheqjen e rajonit drejt zjarrit.

Shkrimtari dhe analisti palestinez, Ahmed Refik Avad, për Anadolu Agency (AA) tha se SHBA-ja dhe Izraeli dëshirojnë që duke shpërbërë UNRWA-në të shpëtojnë nga problemet e refugjatëve dhe që shpenzimet dhe menaxhimin e punëve të refugjatëve t’ia dorëzojnë qeverisë palestineze.

“Izraeli dëshiron të eliminojnë karakteristikën e refugjatit që të mos mbesë dëshmitar të ngjarjeve (Nekbe) të përjetuara në vitin 1948”, ka vlerësuar Avad, duke mbrojtur idenë e tij se konfirmohen deklaratat për planet e SHBA-ve se “numri i refugjatëve do të kufizohet vetëm me gjysmë milioni”.

– “SHBA dhe Izraeli po tërheqin në zjarr rajonin”

Të gjitha këto plane do të shkaktojnë rritjen e ngjarjeve të dhunës në kampet e refugjatëve dhe tërheqjen e rajonit drejt zjarrit, ka paralajmëruar Avad, duke shtuar se “Refugjatët do të shndërrohen në një grumbull të papunësh, të uritur dhe të sëmurësh. Ky rajon aktualisht është një terren i favorshëm për dhunën dhe SHBA-të me Izraelin do të digjen me këtë zjarr”.

Duke vënë theksin se e gjithë bota është përgjegjëse për vazhdimësinë e UNRWA-së, Avad tha se një tentativë për heqjen e kësaj nënkupton shkeljen e vendimeve të Kombeve të Bashkuara dhe se kjo do të sjellë SHBA-në përballë me vendet e botës.

Po ashtu Avad ka deklaruar se SHBA-ja me Izraelin janë duke punuar seriozisht për të bërë që palestinezët dhe arabët të besojnë perceptimin se “Izraeli është një shtet hebre, nuk do të ndalë ndërtimin e njësive të vendbanimeve dhe se ndarja në Palestinë do të vazhdojë”.

– “Vendimi i SHBA-ve për të ndërprerë ndihmat është një shantazh politik”

Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Çështjeve të Refugjatëve të Organizatës Çlirimtare Palestineze, Ahmed Hanun ka bërë të ditur se UNRWA merr një mbështetje të madhe politike dhe se tentativat e SHBA-ve për ta shpërbërë atë nënkupton se ajo do të vijë ballë për ballë me komunitetin ndërkombëtar.

Ai tha se SHBA-ja me Izraelin nuk kanë ndonjë autoritet mbi institucionin në fjalë. Hanun u shpreh më tej se “Vendimi i SHBA-ve për të ndërprerë ndihmat është një shantazh politik i zbatuar në kuadër të imponimit të planit për “marrëveshjen e shekullit”.

“Qeveria palestineze ashku sikurse kundërshtoi për transferimin e ambasadës nga Tel Avivi në Kuds, në të njëjtën mënyrë ajo do të kundërshtojë edhe të gjitha vendimet e tjera të SHBA-ve” ka shtuar ndër të tjera Hanun.

– “Po imponohen planet e likuidimit”

Pedagogu i shkencave politike në Universitetin Arabo-Amerikan në Jenin, Ejmen Jusuf, ka vënë në dukje se qeveria amerikane po përpiqet të imponojë planet e “likuidimit” ndaj qeverisë palestineze duke përdorur ndryshimet rajonale dhe duke bërë që çështja palestineze tashmë të mos jetë e pranishme në përparësitë e vendeve arabe.

Janë hedhur hapa që çështjen palestineze ta nxjerrin nga të qenurit një çështje territori si dhe ta kufizojnë me ndihma humanitare, është shprehur Jusuf.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, në një deklaratë me 31 gusht njoftoi se SHBA-të kanë marrë vendim për ndërprerjen e plotë të ndihmave financiare për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).

Rezoluta me numër 194 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e miratuar në vitin 1948, parashikon që refugjatët palestinezë të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre dhe ata që kanë vendosur të mos kthehen të kompensohen për tokën e tyre.

UNRWA u krijua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1949 për të ndihmuar refugjatët palestinezë në Jordani, Siri, Liban, Bregun Perëndimor dhe në Gaza.

Aktualisht janë 5.9 milionë refugjatë palestinezë brenda dhe jashtë Palestinës.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne