Bota Historia

Zbulim historik në Egjipt

Ministri i Antikitetit, Khaled al-Enany deklaroi se “në këtë varrezë të madhe janë zbuluar një maskë prej floriri, 40 sarkofagë, rreth 1 000 statuja, vazo, bizhu dhe artefakte të tjera”.

“Ky është vetëm fillimi i një zbulimi të ri dhe besoj se do të duhen rreth pesë vite për të përfunduar punimet në këtë nekropol”, u shpreh ministri për gazetarët në zonën ku ka ndodhur zbulimi.

“Gërmimet në këtë zonë filluan në vitin 2017 në bashkëpunim me ekipe nga Gjermania dhe Egjipti”, theksoi ministri.

Muajt e fundit në Egjipt janë bërë një seri zbulimesh antike, përfshirë disa varre në qytetin jugor të Luksorit.

Në fillim të këtij muaji, arkeologët egjiptianë zbuluan një varr 4 400 vjeçar pranë Piramidave të Gizës në jug të Kajros.

Ky varr i përkiste një priftëreshe grua të quajtur Hetpet të epokës së Dinastisë së Pestë të faraonëve.

Në mars të vitit të kaluar, një kolos masiv u nxor nga nëntoka e Kajros, që mendohet se i përket mbretit Psamtik, i dinastisë së 26-të.

Një muze i madh është duke u ndërtuar pranë Piramidave dhe pritet të hapet pjesërisht në fillim të këtij viti.

Muzeu do të presë një numër të madh artefaktesh antike egjiptiane.

Egjipti po përpiqet të rigjallërojë industrinë e turizmit, që është një burim kryesor i të ardhurave kombëtare. (ATSH)

OPINIONE