Për marrëveshjen e Greqisë me ish republikën jugosllave të Maqedonisë (IJRM)

Marrëveshja midis qeverisë së Greqisë dhe asaj të IRJM-së (Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë) u arrit me ndërhyrjen e hapur të SHBA-ve, të NATO-s dhe BE-së, ajo mban vulën e tyre dhe u nënshkrua në bazë të afateve kohore të programuara dhe përcaktuara nga këto organizma, për të avancuar integrimin euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor.

Ky objektiv del qartë nga teksti i marrëveshjes dhe nuk është rastësi që të parët që nxituan për ta përshëndetur këtë marrëveshje ishin Departamenti i Shtetit, NATO dhe BE-ja.

Për këtë arsye, në fund të fundit, i gjithë procesi u përqëndrua në çështjen e emrit të vendit fqinj, ndërsa një seri çështjesh të tjera kritike, të tilla si përballja e irredentizmit, me ndryshimet e nevojshme në Kushtetutën e vendit fqinj, jo vetëm që u shtynë për zgjidhje në të ardhmen e paqartë, por dhe situata u komplikua edhe më shumë me pranimin nga ana e qeverisë greke të qëndrimit të ashtuquajtur “shtetas i Maqedonisë” dhe “gjuhë Maqedonase”, të cilat përbëjnë “farën” e irredentizmit.

Kështu që kjo, si pasojë, është një marrëveshje që nuk mund të sigurojë zgjidhje për të mirën e popullit grek, dhe për të mirën e popullit të vendit fqinj dhe të së gjithë popujve të rajonit.

Argumentet qeveritare se gjoja kjo marrëveshje do të sigurojë paqen, bashkëpunimin dhe stabilitetin në Ballkan dhe në rajonin e gjerë, është krejtësisht e rreme, mashtruese dhe pa njohje historike.

Po neglizhohet dhe heshtet me vetëdije fakti që vetë NATO dhe BE janë faktorë pasigurie dhe të ndryshimit të kufijve, faktorë nxitës së nacionalizmit dhe irredentizmit. Veçanërisht popujt e Ballkanit e kanë vuajtur në kurrizin e tyre politikën e imperialistëve gjatë gjithë këtyre viteve.

Heshtet fakti se integrimi i Greqisë, Turqisë, Shqipërisë, i Malit të Zi, Bullgarisë dhe i Rumanisë në NATO dhe zgjerimi i projektit të BE-së, ekzistojnë bashkë me refuzimet e kufijve, me shkeljet e sovranitetit, me ngritje të çështjeve minoritetesh edhe kur ato nuk ekzistojnë, në kurriz të popujve të rajonit. Shembull më karakteristik për këtë janë marrëdhëniet greko-turke.

Gjithashtu, lihet në heshtje fakti se rajoni i gjerë gjendet në “syrin e stuhisë” së antagonizmave, prandaj po forcohen dhe ndërhyrjet, transferimi i forcave të fuqishme ushtarake, ngritja e bazave të reja ushtarake, etj. Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe në BE është pjesë e këtyre planifikimeve të përgjithshme, në kuadër të antagonizmave me shtete të tjera të fuqishme, siç është Rusia.

Qeveria e SYRIZA – ANEL u dallua si flamurtarja më e mirë e planifikimeve të NATO-s dhe BE-së në rajon, për interes të disa pjesëve të kapitalit grek i cili synon fitime më të mëdha nga rindarja e rajonit, kërkon pjesë më të mëdha nga grabitja dhe shfrytëzimi i popujve. Kjo është ana tjetër e monedhës së politikës antipopullore brenda Greqisë, e cila shkatërron të ardhurat dhe të drejtat e popullit.

SYRIZA, me mantelin e kozmopolitizmit, shfajëson rolin e imperializmit, duke kultivuar iluzionin se zgjerimi i organizatave imperialiste siguron paqen dhe miqësinë mes popujve. Pavarësisht nga kundërshtimi i dukshëm, u takua dhe u ndihmua nga forcat nacionaliste, të cilat edhe pse reaguan kundër marrëveshjes, nuk e kundërshtojnë forcimin e NATO-s dhe BE-së në rajon.

Partia Komuniste e Greqisë (KKE) i bën thirrje popullit të Greqisë si dhe popujve të rajonit për të forcuar solidaritetin dhe luftën e përbashkët kundër planeve imperialiste, kundër nacionalizmit, kundër NATO-s dhe BE-së. Të mos të ketë asnjë qetësim nga ana e popullit siç përpiqet të kultivojë qeveria.

 

ZYRA E SHTYPIT E KQ TË PARTISË KOMUNISTE TË GREQISË (KKE)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne