Andi Bushati

Çdo student rishtar i psikologjisë nuk do ta kishte të vështrirë t’a interprentonte përgjigjen që kreu i opozitës i ktheu ish vëllezërve armiq në PD, që e kishin kërcënuar se do të themelonin një parti të re.

Ironia me “sulmet që vijnë prej kafeneve”, nuk qe asgjë më tepër sesa një lapsus froidian. Kjo shprehje direkte e inkoshiencës e zbulonte lehtësisht atë që Lulzim Basha kishte në mendje.

Në një analizë qoftë edhe të sipërfaqshme, ajo që u duk si gafë do të rezultonte, në fakt, një bindje e brendëshme që është rrënjosur thellë tek lideri i demokratëve.

Le t’a përmbledhin. Kur Lulzim Basha anatemon kritikët e tij më të fortë, Patozi, Topalli, Bode apo Imami si njerëz që e sulmojnë nga tavolinat e kafeneve, ai nuk do vetëm të nënvleftësojë idetë e kundërshtarëve të tij. Ai nuk do vetëm të theksojë se ata janë tashmë të dobët, të parrezikshëm dhe të mundur përfundimisht.

Por, në mënyrë të pandërgjegjshme ai do të nxjerë në pah një antitezë të rëndësishme: “Ju dridhni zinxhirin, unë kam pushtet; ju vrisni kohën kot, unë kam frenat e vendimmarjes; ju shtyni orët para një filxhani, unë mbretëroj në zyrën kryesore të PD; pra ju s’keni në dorë asgjë ndërsa unë i kam të gjitha”.

Pavarësisht se një gjë e tillë nuk pranohet publikisht, lapsusi froidian i Lulzim Bashës nxori në pah një të vërtetë të madhe. Atë që besojnë të gjithë kryetarët e partive shqiptare. Atë se kush ka postin, zyrën, vulën, nuk e humbet kurrë betejën.

Me qindra herë në këtë vend është provuar se ata që kanë arritur të uzurpojë partinë i kanë mbijetuar të gjithë kundërshtarëve dhe të gjitha shizmave.

Dhe këtu as Basha nuk gabohet.

Ai ka privilegjin të tregohet mospërfillës me të gjithë ata të cilëve u preu përgjysëm karierën politike, që i përjashtoi me firmën e vet personale dhe që i pushkatoi si viktima të paktit të 18 majit me Ramën.

Sa do të mundohen, ata as nuk i’a marrin dot partinë dhe as nuk i kthejnë dot strukturat kundër.

Fatkeqësisht këtu Basha ka të drejtë.

Por, nga ana tjetër ai po bën një gabim strategjik. Sepse beteja e tij nuk është të mundë, as veç e veç, Patozin, Topallin, Imamin, Rulin, Boden, Bregun dhe as ata të gjithë së bashku.

Gara e tij e vërtetë është të rikuperojë ato 200 mijë vota që i firuan në zgjedhjet e shkuara edhe si pasojë e ndarjes që i shkaktoi PD-së. Sfida e tij është që të rikuperojë sa më shumë është e mundur nga katastrofa elektorale (e ngjashme me atë të vitit ’97) ku e gremisi partinë.

Dhe për të bërë këtë nuk i lipset aspak një konflikt i dytë me ata që i vrau njëherë politikisht. Sepse problemi real i Bashës nuk është si t’a përçajë PD në “njerëz të zyrave” dhe “njerëz të kafeneve”, por si të bëjë të mundur që të gjithë të lënë lokalet dhe të kthehen në seli. Pasi në të kundërt ai do të dalë gjithnjë fitues ndaj kritikëve, por do t’i lërë përjetësisht të mundur demokratët./ lapsi

23