Enigma! Presidenti Meta pranon kredencialet e ambasadorit të ri rus, por nuk bën njoftim zyrtar

Nga Thanas Mustaqi

Sipas Moskës, “Presidenti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Rusisë në interes të të dy vendeve”

Lajmi / Ambasadori i ri rus i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit shqiptar
BEOGRAD, 19 nëntor – RIA Novosti. Ambasadori i ri i Rusisë në Shqipëri, Mihail Afanasiev, i paraqiti letrat kredenciale Presidentit Ilir Meta, njoftoi të martën [më 19 nëntor 2019] përfaqësia diplomatike ruse.
Presidenti rus Vladimir Putin emëroi Mihail Afanasievin Ambasador të Federatës Ruse në Shqipëri, dekreti përkatës u botua në portalin zyrtar në internet të informacionit juridik më 16 shtator 2019.
“Ambasadori i Federatës Ruse, Shkëlqesia e Tij Mihail Afanasiev, i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Lidhur me këtë Presidenti i Republikës priti Ambasadorin e ri të Federatës Ruse në Tiranë”, njoftoi përfaqësia diplomatike.
“Presidenti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Rusisë në interes të të dy vendeve”, vunë në dukje në ambasadë.
Afanasjevi zëvendësoi Aleksandër Karpushinin, i cili ishte kreu i përfaqësisë diplomatike ruse në Shqipëri që nga viti 2014.

Paslajmi
Është interesante se këtë fakt nuk e bën të ditur në faqen e vet Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, të paktën, deri në orën 19 të 19 nëntorit 2019. Për më tepër, në takimin me ambasadorin e ri të Federatës Ruse Mihail Afanasjev,, sipas përfaqësisë së Moskës, Meta ka theksuar “rëndësinë e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Rusisë në interes të të dy vendeve”.

Mbërritja e Ambasadorit të Rusisë në Shqipëri
Më 12.11.2019, ambasada ruse njofton se në Tiranë ka mbërritur Ambasadori i ri i Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, z. Mihail Afanasiev. Ai pritet së shpejti t’i dorëzojë letrat kredenciale Sh.T.Z. Ilir Meta.
Z. Afanasiev ka lindur në vitin 1954. Karrierën diplomatike e filloi në vitin 1980. Ai ka punuar në Aparatin qendror të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik (BRSS) dhe Federatës Ruse, si edhe në përfaqësitë diplomatike jashtë shtetit. Në vitet 2005-2010 ka shërbyer si Ambasador i Rusisë në Etiopi. Para emërimit të Tij në Shqipëri ka drejtuar një nga departamentet e MPJ-së.
Është i martuar, ka një vajzë.

Pa marrë ende akreditimin në Tiranë, Afanasievi u pararqit si amabasador
Sipas ambasadës ruse, më datë 16 nëntor 2019 në Pallatin e Kongreseve u realizua shfaqja e parë në historinë e Shqipërisë e Baletit Shtetëror në Akull e Shën Petërburgut. Artistët interpretuan një version të përshtatur të baletit klasik “Liqeni i Mjelmave” nën tingujt e muzikës së kompozitorit të madh rus P. Çajkovski.
Ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri, M. Afanasiev iu drejtua të pranishmëve me një fjalim përshëndetës duke përmendur se lidhjet humanitare formojnë bazën e marrëdhënieve të mira midis vendeve dhe popujve tanë, ndërsa performanca e baletit në akull është një nga shembujt e tillë të shkëlqyer.
Ambasadori nënvizoi unikalitetin e këtij eventi: baleti në akull pasqyron veçantitë e vendit tonë duke ndërthurur dy simbolet e tij ndërkombëtare: baletin dhe patinazhin artistik. Trupa e Baletit në Akull është e vetmja trupë teatrore në botë, e cila interpreton kryeveprat klasike të baletit në skenën e akullit.
Shfaqja u shoqërua me duartrokitje të mëdha nga ana e spektatorëve, të cilët mbushën plot sallën e Pallatit të Kongreseve.

Fotot
1. Majtas: faksimile e lajmit të agjencisë ruse të lajmeve “RIA Novosti”, 19 nëntor 2019 “Ambasadori i ri rus i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit shqiptar”.
2. Djathtas Ambasadori i ri rus në Tiranë Mihail Afanasiev./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne