Izraeli dhe Palestina: apo përralla e dy vendeve [liber nga Dr. Olsi Jazexhi]

Dr. Olsi Jazexhiu sapo ka botuar librin ‘Izraeli dhe Palestina: apo përralla e dy vendeve’.

Ky liber i cili gjendet ne librarine perballe parlamentit ne Tirane eshte nje liber pershkrues.

Ai tregon mbi udhetimin e tre gazetareve shqiptare ne Palestine dhe Izrael ne dhjetor 2018 me ftese nga Ministria e Jashtme dhe ambasada e Palestines ne Tirane. Autori tregon mbi peripecite e udhetimit, pushtimin izraelit te Palestines, vuajtjet e palestinezeve dhe luften e tyre per mbijetese perballe agresionit izraelit.

Libri analizon cmendurine biblike te krijimit te shtetit fashist te Izraelit dhe perpjekjen qe te krishteret dhe muslimanet e Palestines bejne per te ruajtur traditen dhe trashegimin e tyre kristjane dhe muslimane perballe ekstremizmit zionist.

 

Pasqyra e Lëndës se librit eshte si me poshte:

Pasqyra e Lëndës

Hyrje: Izraeli dhe Palestina apo përralla e dy vendeve……………….……….………

Dita e Parë: Udhëtimi për në Palestinë……………………….……….……….……….

Dita e Dytë: Drejt Tubasit dhe Fushave të Veriut…………………………….……….

Dita e Tretë: Udhëtim për në Ibrahim el-Halil, apo Hebron………….……….……….

Dita e Katërt: Udhëtimi për në Nablus dhe në Mukata-në e Jaser Arafatit…………….

Dita e Pestë: Pelegrinazh në Jeruzalem dhe Betlehem ………………………………

Dita e Gjashtë: Vizita në Tel Aviv dhe kthimi për në Turqi …………………………..

Përmbyllja………………………………………………… …………………………..

 

Me poshte eshte hyrja e librit:

Hyrje:

Izraeli dhe Palestina apo përralla e dy vendeve

Ishte koha më e mirë, por ishte edhe koha më e keqe, ishte koha e mençurisë, por ishte edhe koha e marrëzisë, ishte epoka e besimit, por ishte edhe epoka e mosbesimit, ishte sezoni i Dritës, por ishte edhe sezoni i Errësirës, ishte pranvera e shpresës, por ishte edhe dimri i dëshpërimit; çdo gjë ishte para nesh, por çdo gjë ishte shumë larg nesh; të gjithë po shkonin drejt Xhenetit, e të gjithë po shkonin drejt Xhehenemit. Me pak fjalë, ajo periudhë kohore ishte aq e largët sikur është edhe sot, kur ne na duhet ta pranojmë ashtu sikur është, për të mirë a për të keq dhe me aq mundësi sa kemi për ta kuptuar.

Çarls Dikens, Përralla e Dy Qyteteve

 

Ky paragraf nga romani i Çarls Dikensit, ‘Përralla e dy qyteteve’ mund të përmbledhë me pak fjalë marrëzinë njerëzore që ndodh sot në Izrael dhe Palestinë. Këto dy vende që në fakt para vitit 1948 ishin një, janë vendet më të paimagjinueshme, të tmerrshme dhe çuditshme të planetit tonë. Në Izrael dhe Palestinë jetojnë dy popuj në armiqësi me njëri tjetrin. Izraelitët janë pushtues, ndërsa palestinezët të pushtuar; izraelitët janë kolonizatorë, ndërsa palestinezët të kolonizuar; izraelitët janë dhunshëm, ndërsa palestinezët të dhunuar; palestinezët janë viktima, ndërsa izraelitët viktimizues. Izraelitët kanë dominim total ndërsa palestinezët janë të nënshtruar. Izraeli është një shtet super i pasur ndërsa Palestina e varfër; Izraeli është mizor ndërsa Palestina e dërrmuar; Izraeli i armatosur deri në dhëmbë ndërsa Palestina e çarmatosur; Izraeli mbështetet nga Amerika dhe Perëndimi ndërsa Palestina përbuzet nga Amerika dhe Perëndimi; Izraeli jeton në Xhenet ndërsa Palestina në Xhehenem. Izraeli ekzistencën e tij e justifikon në emër të Biblës, ndërsa palestinezët besojnë Ungjillin dhe Kuranin. Këtë realitet të tmerrshëm që ne mund ta përshkruajmë si një përrallë të pabesueshme ç’njerëzore, si përralla e dy vendeve, kemi vendosur ta dokumentojmë në librin që ju keni në dorë.

Ky libër është produkt i përshtypjeve që ne, tre gazetarë shqiptarë, dhe unë në veçanti si autor i këtij libri; pamë dhe përjetuam gjatë vizitës që bëmë në Palestinën e pushtuar nga data 20 deri në 25 dhjetor 2018. Në këto 6 ditë që udhëtuam nga Shqipëria për në Turqi, në Izrael e Palestinë dhe kthim pamë gjëra të pabesueshme dhe të paimagjinueshme për ne shqiptarët që jetojmë në një vend të lirë dhe në paqe sikur është Shqipëria.

Izraeli dhe Palestina që supozohet te jenë dy shtete më vete, në fakt ishin një e në të njëjtën kohë të duket sikur nuk janë asnjë. Pushtimi i Palestinës nga nacionalistët ekstremistë çifutë të njohur si zionistë por që nuk janë medoemos hebrej e ka kthyer të gjithë Palestinën historike: Izraelin dhe Territoret Palestineze në një ferr të vërtetë. Në këtë Ferr i cili për fat njihet si Tokë e Shenjtë, vizitori gjen e shikon realitete shumë kontradiktore dhe tronditëse. Turisti që viziton Palestinën sot gjen dy realitete shumë kontradiktore. Ai sheh izraelitët që jetojnë në xhenet dhe palestinezët që jetojnë në një xhehenem. Shikon izraelitët që kanë pushtet absolut mbi Izraelin dhe Palestinën, ndërsa shikon palestinezët autoktonë që jetojnë nën tiraninë e ushtrisë dhe kolonëve izraelitë të cilët janë mbledhur në Izrael nga të gjithë cepat e globit për të krijuar një shtet i cili pak dekada më parë nuk ekzistonte. Vizitori trembet ndërsa shikon Tel Avivin e pasur dhe Xherikon apo Hebronin që jeton në varfëri dhe shtetrrethim ushtarak.

Realitetin tronditës dhe të çmendur që gjetëm në Izrael dhe Palestinë ne duam ta ndajme me ju lexues shqiptar. Duam që të kuptoni marrëzinë që pushtimi izraelit dhe mbështetësit e tij judeo-protestantë amerikanë i kanë shkaktuar Tokës së Shenjtë, të cilën e kanë shndërruar në një ferr. E në këtë ferr tokësor nuk vuajnë vetëm palestinezët e krishterë dhe muslimanë por edhe çifutët gjithashtu.

Dëshmitë tona ne po i transmetojmë ashtu sikur i pamë. Me foto dhe video, duke i qendruar besnik të vërtetës edhe pse e dimë që ky libër do të mërzisë shumë zionistë fanatikë dhe ata që duan të fshehin realitetin tragjik të Palestinës, dhe normalisht edhe ambasadën e Izraelit në Tiranë e cila në publikimet e saj e tregon Izraelin si një parajsë në tokë.

Këtë libër ne po e shkruajmë edhe si një udhëzues udhëtimi për ata nga ju që në të ardhmen planifikojnë të vizitojnë Tokën e Shenjtë. Rrëfimet dhe dëshmitë tona, ndoshta do u duhen dhe do u ndihmojnë nëse vendosni që një ditë të vizitoni Xhaminë Aksa, Betlehemin, Xherikon, Jeruzalemin dhe të gjithë Vendet e Shenjta. Duam që kur të shkoni për pelegrinazh në Izrael të mos ndaloni vetëm në Jeruzalem dhe në Tel Aviv, por duam që me kureshjten dhe dëshirën tuaj për të mësuar të vërtetën të shikoni edhe tokat e shenjta kristjane dhe muslimane që gjenden përtej mureve që rrethojnë Izraelin. Vetëm në këtë mënyrë ju do mund të shikoni dhe kuptoni atë që ne pamë dhe dëshmuam.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne