Kriza në marrëdhëniet Turqi-Gjermani dhe ndikimi i saj në Ballkan

Kohëve të fundit është vërejtur një valë e re akuzash midis zyrtarëve më të lartë të dy vendeve me ndikim të fuqishëm në rajonin e Ballkanit, Gjermanisë dhe Turqisë.

Është më se e qartë se çdo përkeqësim i raporteve gjermano-turke do të ketë efekt edhe në disa vende të Ballkanit, duke pasur parasysh lidhjet e tyre me Gjermaninë dhe Turqinë. Një gjë e tillë më së shumti do të vërehej tek shqiptarët, të cilët historikisht kanë pasur marrëdhënie të mira diplomatike me këto dy vende. Por ajo që është më serioze dhe me ndikim më të madh, është se në rast që debati midis Gjermanisë dhe Turqisë shkon duke u përkeqësuar, natyrisht se presidenti turk Rexhep Taip Erdogan do të bëjë përpjekje për të minuar rolin e BE në Ballkan. Rritja e krizës midis Turqisë dhe Gjermanisë mund të shtyjë drejt një paqëndrueshmërie në Ballkan, duke pasur parasysh faktin se Turqia ka një ndikim të theksuar në disa vende ballkanike me popullsi shumicë myslimane, të cilët do të mund t’i kushtëzonte ata të zgjedhin midis besnikërisë ndaj BE dhe Turqisë. Këtu nuk duhet harruar fakti se shumica e vendeve ballkanike tani janë kandidate për anëtarësim në BE dhe çdo përkeqësim i raporteve midis Turqisë dhe Gjermanisë apo mund të thuhet edhe mes Turqisë dhe BE, do të ndikonte në shtyrjen e fazave të anëtarësimit të këtyre shteteve në Union. Turqia mund të luaj edhe lojën e afrimit me Rusinë, në mënyrë që të krijojë një aleancë për të rrezikuar ekuilibrin gjeostrategjik në rajonin e Ballkanit, apo edhe të përdor kartën e emigrantëve për t’i bërë presion liderëve të BE dhe të vendeve të Ballkanit.

Të dyja këto lëvizje të Turqisë mund të krijonin kushtet për të destabilizuar Ballkanin dhe të rrezikonin procesin e anëtarësimit të këtyre vendeve në BE dhe në NATO. Tani që vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke menduar seriozisht për çështjen e transportit energjetik lindje-perëndim, nuk do të ishte aspak në interesin e tyre të krijoheshin përçarje serioze midis Turqisë dhe BE, sepse është një rast historik për këto vende që të përmirësojnë ndjeshëm sigurinë e energjisë. Transformimi i dinamikës së sigurisë energjetike në Ballkanin Perëndimor është një mundësi jo vetëm për rajonin, por edhe për vendet si Turqia, e cila po bëhet shpejt një lojtar i rëndësishëm në korridorin e furnizimit me energji lindje-perëndim. Natyrisht se do të ishte në interes të të gjithëve, si për vende ballkanike, si për Turqinë e po ashtu edhe BE që Ankaraja, me një diplomaci proaktive dhe partneritet të avancuara dypalësh me Rusinë dhe BE-në, të pozicionet për të kontribuar në të ardhmen e sigurisë energjetike në Ballkanin Perëndimor. Popujt e Ballkanit kanë përjetuar historikisht luftëra të shumta dhe tani nuk është koha që të bien përsëri pre apo viktimë e interesave të fuqive të mëdha./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne