Një peticion pro kullave mbi tokën e grabitur

Nga Enton Abilekaj

Lufta për teatrin, në betejën e fundit, e ka radikalizuar gjithë vendin; politikën, median, komunitetin e aktorëve dhe regjisorëve, shoqërinë civile. Mbrojtësit e Teatrit bashkë me opozitën që ka shkuar në mbështetje, paralajmërojnë se nuk do ta lejojnë prishjen, të paktën jo pa rezistencë fizike që mund të shkojë në një përplasje në oborrin e Ministrisë së Brendshme.

Ndërsa një pjesë e aktorëve dhe regjisorëve, ka bërë një peticion të dytë, të panevojshëm për të rishprehur qëndrimet e tyre të njohura që kur dezertuan 2 vjet më parë. Figura shumë të njohura dhe të vlerësuara që insistojnë për ngritjen e Teatrit të ri Kombëtar mbi rrënojat e të vjetrit, janë vënë në shënjestrën e sulmeve të atyre që kërkojnë një arsye okulte në ndryshimin e pozicionit të tyre, duke i hyrë një rruge pa krye të sulmeve personale për ta mbushur ambientin artistik me llumin e politikës dhe medias.

Në vend të kësaj rruge pa krye drejt baltës, Viktor Zhusti kërkoi me të drejtë një diskutim civil, me qëllimin e përbashkët për një teatër Kombëtar të ri. Për ta nisur këtë është e nevojshme që firmosësit e peticionit pro prishjes, të rilexojnë tekstin që kanë miratuar dhe të kuptojnë qëllimet e prishjes, sepse me tekstin e publikuar, mund të bindin vetëm Elisa Spiropalin.

Si fillim duke firmosur peticionin, përsëritën gabimin e para 2 viteve kur u përdorën si numra, megjithëse janë emra të mëdhenj për publikun shqiptar. Një tjetër pikëpyetje mbi vullnetin e tyre është përsëritja e një qëndrimi të njohur, pikërisht në kohën kur i duhej Veliajt, me të njëjtin nxitim që ka ai për prishjen e godinës së vjetër, me të njëjtat argumente që jep ai.

Për këtë arsye, argumentet e peticionit nuk qëndrojnë. Ata shkruajnë se Teatri i Vjetër pengon ndërtimin e teatrit të ri, gjë që është e pavërtetë. Të gjithë e dinë, që pikërisht mbrapa teatrit të vjetër, ka një truall shtetëror bosh, ku mund të ndërtohet një teatër i ri, akoma më i madh dhe më i bukur, pa koston e prishjes së kujtesës historike.

Nuk ndërtohet aty vetëm se Edi Rama dhe Erjon Veliaj, e kanë ruajtur për kullat që kanë planifikuar të ndërtojnë me partnerët e tyre në ndërtim. Duke kërkuar, ndërtimin e Teatrit të ri në truallin e të vjetrit, ata kanë nëshkruar pro ngritjes së kullave, rrëmbimit të truallit shtetëror nga një aferë korruptive dhe shkatërrimit total të një zonë pjesërisht të ruajtur si monument kulturor-historik.

Ndryshe peticioni do u drejtohej projektuesve të kullave, Rama – Veliaj, që të mos insistonin në prishjen e një objekti të vjetër, të mos e rrënojnë më tepër trashëgiminë historike të Tiranës dhe të ndërtojnë teatrin e ri në truallin ngjitur me të.

Një tjetër argument i importuar nga gjuha e prishësve, është përfshirja e politikës dhe subjekteve jashtë komunitetit artistik në një cështje, që sipas tyre duhet të jetë ekskluzive.

Mjafton të përmendet që ideja për Teatrin e Ri, erdhi në 2018 si një propozim i pakërkuar i një ndërtuesi, për ta rrëzuar këtë argument qesharak. Sipas tyre, Fusha që ka betonizuar vendin, e paska të drejtën të iniciojë debatin, ndërsa shoqëria civile që mbron trashëgiminë historike mediat që mbrojnë të vërtetën, nuk kanë pse të përfshihen.

Për më tepër, që media dhe shoqëria civile u thirrën në luftë nga disa prej atyre që sot kanë kaluar në anën e prishësve, të cilët kërkuan ndihmën e medias që në ditët e para të paraqitjes së projektit Fusha, për të mos lejuar shembjen. Brenda atij teksti, shpallet luftë me mbrojtësit e teatrit. Për këtë, Viktor Zhusti, si nismëtar i një procesi paqësor duhet të tërheqë firmën dhe të kërkojë hartimin e një teksti tjetër. Deri atëherë, firmosësit, duhet t’i kërkojnë Veliajt që të mos e prishë teatrin duke dhunuar kolegët e tyre./ Dosja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne