Shumë larg nga shtëpia – Si e kaluan Bajramin refugjatët

Viti i Shtatë i Luftës

Ndërsa konflikti sirian i afrohet vitit të shtatë, numri i civilëve të vrarë vazhdon të rritet. Shifrat janë mjaft tronditës; vlerësimet e të vdekurve variojnë nga 300,000 në më shumë se gjysmë milioni. Rreth një e treta e popullsisë para konfliktit (21.5 milionë) tani është zhvendosur brenda vendit (6.6 milionë), ndërsa rreth 5 milionë sirianë janë larguar nga vendi si refugjatë, duke kërkuar pak qetësi në vendet fqinje dhe më gjerë. Një raport nga Qendra Siriane për Hulumtime të Politikave (2014) zbuloi se një numër i madh i popullsisë së përgjithshme të Sirisë, rreth 11.5% ishte vrarë ose plagosur gjatë rrjedhës së konfliktit. Është e vështirë të imagjinohet se si dikush mund të gëzonte Bajramin kundër këtij sfondi.

Pengesat për festimin e Bajramit

Ndërsa disa kampe përpiqen të mbajnë një atmosferë festive, duke bërë lutjet e veçanta të Bajramit dhe duke u dhuruar fëmijëve ëmbëlsira dhe gosti, brenda të tjerave nuk ka fare gjurmë të festimeve. Disa nëna dhe baballarë me të cilët kam folur, më treguan për mosfestimin e Bajramit që nga fillimi i konfliktit sirian në mars të vitit 2011. Është e vështirë të përfytyrosh të pasurit e shpirtit për të festuar pasi ke përjetuar një nga konfliktet më të këqija në kohët e fundit, dhe ke përfunduar mijëra kilometra nga shtëpia. “Ne nuk e kemi ndjerë aq shumë Bajramin në 5 vitet e fundit”, deklaroi një baba me zë të dhimbsur.

Familja

Një nga aspektet themelore të një feste, veçanërisht e festës muslimane të Bajramit, që mund të gëzohet nga të pasurit dhe të varfërit, është shpenzimi i kohës me familjen. Realiteti i trishtuar është se shumë nga refugjatët në Greqi (dhe më gjerë) janë të izoluar plotësisht nga familja, ndërsa ata më të lumtur kanë një anëtar të familjes ose dy me ta. Shumë individë thonë se familja e tyre është e shpërndarë plotësisht; një vëlla në Gjermani, një motër në Turqi, me prindërit e kthyer në Siri. Një baba në Selanik tregoi se kishte një djalë në Gjermani, një djalë në Suedi dhe gruan në Turqi. E pyeta një djalë kurd 16 vjeçar se çfarë dëshironte të bënte me lirinë e tij, pasi t’i jepeshin letrat e tij të banimit, duke pritur që ai të më tregonte për karrierën që shpresonte të kishte apo ëndrrën djaloshore që donte të ndiqte; “Të ribashkohem me familjen time” ishte përgjigjja e tij.

Shtëpia

Një nga gjërat më universale që e gjeta të përmendej si një shpresë për refugjatët ishte ëndrra e të pasurit një shtëpi që ta quanin të tyren. Shumë prej tyre nuk donin ta festonin Bajramin derisa të mund ta bënin këtë në një vend të quajtur shtëpi. Madje një njeri e refuzonte vazhdimisht trajtimin mjekësor, pasi ai nuk donte të fillonte ndonjë proçes si ky derisa të mund ta bënte këtë nga shtëpia. Dhe në kundërshtim me atë që disa do të besonin, shumica e refugjatëve me të cilët bisedova do të jepnin krahun e djathtë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre origjinale në Siri dhe Irak, nëse do ishte në kontekstin e paqes. “Nuk ka vend më të mirë se atdheu yt”, është një frazë që e dëgjoja pa pushim. Natyra e përkohshme e disponueshme e kampeve e bën jashtëzakonisht të vështirë ta thërrasësh atë një shtëpi ose të festosh brenda saj.

Mirëqenia psikologjike

Meqenëse çështjet e shëndetit mendor mbeten të patrajtuara ato rriten në kompleksitet dhe bëhen më të përhapura. Ndërkohë që ekzistojnë disa shërbime psikologjike, këto janë pak dhe shumë të largëta dhe në mënyrë të konsiderueshme të pamundura për t’u marrë me vëllimin dhe shtrirjen e asaj me të cilën po përballet kjo popullsi. Konsideroni që 11.5% e popullsisë së përgjithshme siriane janë vrarë ose plagosur në këtë konflikt. Sa nga ata kanë përjetuar humbjen e një të dashur (ose të dashurve)? Sa janë prekur nga zjarri? Sa prej tyre janë tmerruar nga mendimi se mund të ishin gati për t’u sulmuar? Sa kanë dëgjuar bomba që shpërthejnë, ndërtesa që rrëzohen dhe qenie njerëzore që vajtojnë? Çrregullimi i stresit post-traumatik, çështjet e depresionit dhe të ankthit janë të shfrenuara. Të gjitha tekstet shkollore në botë nuk mund t’ju përgatisin për ndjenjën që ju do të merrni kur të jeni ulur pranë një vajze të dashur 6 vjeçare e cila përpëlitet në shtrat gjatë natës dhe nuk është në gjendje të flejë për shkak të natës së luftës që e pret. Vuajtjet organike të tilla si psikoza dhe skizofrenia mund të nxiten thellësisht nga streset e luftës. Kushtet e tmerrshme në disa nga kampet mund të sigurojnë një terren të përsosur për zhvillimin e çrregullimeve psikologjike që rriten për një popullsi njerëzish që kanë përjetuar traumat e rënda të luftës dhe zhvendosjes; një stuhi e përsosur.

Shpresë

Sfida e dukshme që na vjen përballë, e bën shumë të rëndësishme mos humbjen e shpresës. Ka shumë gjëra pozitive që duhet të mbajmë në mendje. Kam dëshmuar shumë bukuri në kampe. Pangopësia e pavdekshme e prindërve për të bërë më të mirën e mundshme që të mund të shohin fëmijët e tyre me një jetë më të mirë është e gjallë dhe e bukur. Prindërit mund të gjejnë mënyra aq kreative dhe të shkathta për t’u kujdesur për nevojat dhe dëshirat e fëmijëve të tyre. Kam parë dhjetra praktikantë nga të gjitha anët e botës që kanë shpenzuar kohë, kryesisht me shpenzimet e tyre, për të ardhur këtu dhe për të ofruar çfarëdo aftësish që ata kanë, nga dita në ditë, në përpjekje për të përmirësuar jetën e refugjatëve të Greqisë. Kujdesi dhe ndjeshmëria e treguar, si dhe lidhjet që janë krijuar, janë një arsye për shpresë. Mënyra se si Greqia ka bërë shumë përpjekje për t’u kujdesur për refugjatët, pavarësisht se është tërhequr për shkak të krizës ekonomike të dekadës së fundit, është gjithashtu e rëndësishme. Më e rëndësishmja, ne nuk duhet të harrojmë aftësinë e gjeneratës sonë të ardhshme për t’u shëruar dhe rritur pavarësisht nga ajo që po vuajnë tani. Në mënyrë që ky proçes i rilindjes të lejohet të ndodhë, ne duhet t’u sigurojmë atyre hapësirën dhe kushtet në të cilat mund të bëhet një shërim i shëndetshëm.

Përgjegjësia jonë e përbashkët

Mbajini vëllezërit dhe motrat tuaja në zemrat dhe mendjet tuaja, dhe jepni nga kuletat tuaja nëse nuk mund t’u jepni atyre kohën tuaj.

  • Dhurojini para organizatave që punojnë me refugjatë në terren, veçanërisht në Liban, Jordani, Turqi dhe Greqi.
  • Loboni te zyrtarët tuaj lokalë për të hapur vendin tuaj për rivendosje për ta. Disa vende tashmë po bëjnë pjesën e tyre, disa të tjerë po bëjnë më shumë se sa pjesa e tyre, ndërsa shumë prej tyre janë paturpsisht duke mos bërë asgjë – nga 60,000 të mitur të pashoqëruar të cilët kanë hyrë në Evropë, Mbretëria e Bashkuar ka strehuar vetëm 20.
  • Punoni me refugjatët të cilët tashmë janë zhvendosur në zonën tuaj. Edhe nëse nuk jetoni në Jemen apo Gaza, ka mundësi që do të ketë refugjatë sirianë ose irakienë pranë jush. Shikoni se cilat organizata punojnë me ta dhe ofroni shërbimet tuaja për ta. Më shumë se paratë tuaja, ata kanë nevojë për kohën dhe ngrohtësinë tuaj.
  • Nëse nuk keni mundësi të realizueshme për ta bërë këtë, merrni iniciativën dhe krijoni rrugën tuaj në këtë drejtim, duke marrë hapin e vogël drejt bërjes së dikujt të pambrojtur dhe në mërgim për t’u ndjerë i shoqëruar dhe i mirëpritur. Gjesti më i vogël mund të jetë tepër kuptimplotë dhe mund të lejojë që diçka të madhe të lulëzojë.

Tamim Mobayed

© Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne