Lubonja i përgjigjet akuzave të Ismail Kadaresë: Gënjeshtar dhe shpifës, oborrtar i dy regjimeve!

Fatos Lubonja, iu përgjigj akuzave të Ismail Kadaresë, nga emisioni “Të Paekspozuarit” i Ylli Rakipit.

Lidhur me deklaratën e Kadaresë, se ai është arrestuar si djali i Todi Lubonjës dhe jo si shkrimtar, ai thotë se është akuzuar si shkrimtar dhe se këtë gjë e dëshmojnë akt-ekspertizat e shkrimeve të tij. Lubonja u shpreh, se Kadareja gënjen dhe shpif.

Akuzës së Kadaresë, se Lubonja urrente babain dhe e fundosi në gjyq, ai iu përgjigj se në përgjithësi, nuk urren njerëzit. Në rastin e babait të tij, ai e konsideron një interpretim malinj të Kadaresë dhe dokumenteve që ka nxjerrë Kadareja me disa të tjerë. “Kjo është një shpifje e ulët, hyrja në marrëdhëniet familjare në mënyrën më skandaloze. Ata që e kanë kurdisur këtë, duan të demonizojnë kundërshtarët e tyre”.

Ismail Kadare e akuzon Fatos Lubonjën se ka dashur ta dëmtojë me dëshminë e tij, duke thënë se babai i tij, Todi Lubonja,  pëlqentë shkrimtarin Kadare. Lubonja e mohon një gjë të tillë dhe shprehet se, dëshmia e tij ka patur për qëllim  ta mbrojë babain  e tij dhe jo ta fundosë.

“Akuza ndaj babait tim ishte se ai nuk pëlqente letërsinë e realizmit socialist . Kur më pyetën mua lidhur me këtë gjë, unë thashë se babai im pëlqente Kadarenë dhe Dritëro Agollin. Kadareja ishte shkrimtari më i preferuar i Enver Hoxhës. Kishte shkruajtur librin “Dimri i madh” , që Hoxha e pëlqente. Të thoshe se babai pëlqente Kadarenë, ishte normale. Unë përmenda dy shkrimtarët më të rëndësishëm të realizimit socialist, për ta ndihmuar babain”.

Më tej, Lubonja u shpreh se “është qesharake të merresh me këto gjëra”.

I pyetur nga gazetari Rakipi, se përse po sulmohet sot, Lubonja tha se sulmi ndaj tij vjen për shkak të së sotmes dhe jo të kaluarës. “Me politikën që, kur kemi dikë kundër, ta sulmojmë për ta delegjitimuar apo denigruar. Unë mendoj, se këtu ka disa sulme të koordinuara ndaj meje”.

Kritikat e Lubonjës për Kadarenë: 

“Unë e kam kritikuar Kadarenë për tri gjëra kryesore. E kam kritikuar veprën e tij, si një vepër që në pjesën më të madhe të saj, është ilustrim letrar i propagandës së regjimit të Enver Hoxhës. E kam kritikuar kur filloi të bëjë transformimin e historisë së tij, kur të gjithë prisnim nga ai të na thoshte të vërteta dhe jo të manipulonte. Së treti, e kam kritikuar për modelin e intelektualit që përfaqëson. Kadareja është nga ata intelektualë që nuk i kundërshton kurrë regjimet, është oborrtari i dy regjimeve”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne