Rishkrimi i historisë nuk duhet të jetë temë tabu

Intervistë me historianin, Dr. Skender Rizaj

“Islamizmi muhamedan te shqiptarët e Gadishullit Ilirik (Ballkanit) nuk ka filluar të përhapej në kohën e Perandorisë Osmane (pas shekullit XV), siç mendohet gabimisht, por ka filluar të përhapet që në shekullin X, por me emër të kamufluar – bogomilizëm, sipas meshtarit Bogomil (në Maqedoni). Në të vërtetë, misionarët myslimanë nga Palermoja (Sicili), që ishte një nga qendrat e islamizmit muhamedan, e sollën në Ballkan idenë e kësaj ideologjie”, thotë Prof. Skender Rizaj.

Intervistoi: Herolind RAMA, Prishtinë*

Arsyeja se pse kam përzgjedhur që ta intervistoj këtë personalitet të shquar në fushën e historisë është vet bagazhi i tij intelektual dhe gjurmues. Skender Rizaj u lind në Pejë më 14 mars 1930. Pasi që rrjedh nga një familje autoritare të asaj ane, të cilët njihnin mirë gjuhët orientale, arabishten, persishten, osmanishten, ari arriti të merrte njohuri solide nga ata, për këto gjuhë të huaja, konkretisht nga babi i tij Eshrefi, i cili ishte hoxhë me autoritet, për të vazhduar më vonë edhe me specializim për osmanishten, si në Sarajevë, ashtu edhe në Stamboll. Në Pejë e ka kryer shkollën fillore (1941) dhe semimaturën (1945), kurse në Prizren shkollën normale (dy kurse pedagogjike: 1946, 1947). Në Shkup e ka kryer Fakultetin Filozofik – dega e Histori (1956), ndërsa në Beograd e kanë dhënë provimin shtetëror për profesor të gjimnazit (1960), për të vazhduar më pastaj në Sarajevë studimet pasuniversitare dhe doktoratën (1965). Në moshë 17-vjeçare angazhohet në ilegalitet, ku e mbante pseudonimin ”Fishkëllima” dhe i takonte organizatës ilegale “Besa Kombëtare”. Gjykata e Qarkut në Prizren në nëntor të vitit 1946 (si nxënës) ia shqiptoi dënimin me 1 vit burgim të rëndë, në bazë të nenit 3/1 të ligjeve të atëhershme në fuqi (Arkivi i Kosovës, Fondi: Gjykata e Qarkut në Prizren, Lënda Penalja nr. 20).

Gjatë vitit 1948 ka shërbyer si mësues në fshatin Gllaviçicë, gjatë viteve 1948-1952 ishte mësues dhe drejtor i shkollës fillore në Pejë, si edhe profesor i gjimnazit (1956-1961). Pastaj kalon në Prishtinë si arkivist i Arkivit të Kosovës (1961-1963), kthehet prapë në Pejë si arsimtar i shkollës fillore (1963 – 1965), më tej bëhet në Prishtinë kalon në asistent, docent, profesor inordinar dhe profesor ordinar (1965-1987). N në Stamboll merr titullin këshilltar kompetent – specialist (uzmanı) i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shtetërore të Qeverisë Turke (Başbakanlık Arşivi) (1989-1990). Pas mbarimit të doktoratës, i lidhur shpirtërisht me osmanishten, Dr. Skender Rizaj nuk do të ndalet së hulumtuari dokumente për periudhën osmane te shqiptarët. Krahas gjuhëve orientale, Dr. Skender Rizaj i zgjeroi njohuritë edhe në gjuhën angleze, duke i dhënë mundësi që të bëjë krahasime me dokumente historike nga të dyja anët e botës: orientit dhe oksidentit. Zotërimi i gjuhëve të huaja ia hapi rrugën për hulumtime në biblioteka dhe arkiva në shumë qendra dhe institucione të ndryshme shkencore të Evropës, si në Sarajevë, Beograd, Shkup, Zagreb, Dubrovnik, Prishtinë…, por edhe të Shqipërisë, Italisë, Gjermanisë e të Turqisë, ku ka bërë më së shumti hulumtime (në Başbakanlık Arşivi në Stamboll, në bibliotekat: Bayezid, Süleymaniye, Devlet Kütüphanesi). Ka punuar në hulumtime edhe në Londër (në The Public Record Office, The British Museum, The British Library).

I ri në moshë, por i madh në pikëpamje të guximit dhe ideve, ai e theu shabllonin e krijuar nga shkenca serbe mbi mendimin historik shqiptar. Edhe pse i përndjekur e në masa të rrepta, kjo i shërbeu si një motiv shtesë në ecjen përpara. Kështu na tregon biografia e tij prej luftëtari. Ai kishte karakter kërkimor, prandaj edhe shkeli shumë qendra botërore historike, me qëllim të argumentimit të qartë mbi të dhënat historike. Edhe pse ishte shqiptar, asnjëherë nuk u tregua i njëanshëm dhe favorizues ndaj gjirit të cilit i përkiste, virtyte këto që i siguruan nam pozitiv, pranim dhe jetëgjatësi në lëmin e vet.

Nuk ishte vetëm çështja shqiptare ajo me të cilën u morr me pasionin më të madh prej njeriu, por atë e joshi çështja e Perandorisë Osmane, për shumë tipare e pashembullt në botë, e joshi edhe Egjipti i lashtë me dorëshkrimet misterioze, pra e joshi me një fjalë historia me të gjitha dimensionet e saja. Shikimi helikopterik i bëri mirë në të gjykuarit me ftohtësi dhe gjendje qetësie, përkushtim në të punuar dhe neutralitet prej një intelektuali.

SHENJA: Çfarë thotë historiografia serbe rreth prejardhjes së kishave në Kosovë dhe si i kundërshtuat ju këto teza

RIZAJ: Për t’i sendërtuar planet e veta imperialiste, pansllavizmi gjatë shekullit XIX nisi ta falsifikojë historinë. Së pari, perandorët e Rusisë cariste i shpalli romanovas, si ish-perandorë të Perandorisë Bizantine (Ilirikumit), të cilët, kinse, pas pushtimit të Kostandinopojës (1453), nga ana “turqve barbarë” u vendosen në Rusi. Prandaj, e drejta historike e carëve rusë ishte, gjoja, ta çlironin Kostandinopojën (Stambollin) nga turqit pushtues dhe aty ta vendosnin selinë e Rusisë, me emërtim të ri Carigrad = qytet i carëve romanovas (rusë). Ndërkohë, pasi filloi zgjimi nacional në Ballkan dhe pasi u krijua Lëvizja Ilire (Ilirizmi, ilirski pokret, ilirizam – 1835-48), pansllavizmi nxitoi ta falsifikojë edhe historinë e popujve të Ballkanit, sepse druante nga mundësia e krijimit të një kombi të ri në Ballkan me emrin ilir. Andaj menjëherë dërgoi kallogjerë (murgj) rusë në manastire të Ballkanit, ku krisobullat (aktdhurimet) e mbretërve nemanjidas, që sunduan në këto troje gjatë mesjetës, filluan t’i falsifikonin, ndërkaq origjinalet e tyre i dërguan fillimisht në Peterburg e më vonë në Moskë, ku ruhen edhe sot e kësaj dite, pa mundësi qasjeje të shkencëtarëve të huaj. Më vonë, gjatë shekullit XX, këto krisobulla, por në trajtë të falsifikuar, pansllavizmi i botoi, gjoja, si dokumente origjinale, dokumente këto që, kinse, dëshmojnë se kishat e manastiret, sidomos ato ortodokse, ishin gjithmonë të serbëve. Me një rast, gjatë një polemike verbale me kolegët serbë dhe rusë, kur iu kërkova institucionalisht (Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve) që t’i shoh origjinalet, ata mu përgjigjen se këto janë dokumente origjinale të shekullit XIII dhe si të tilla nuk bën të shfrytëzohen. Atëherë i pyeta: si është e mundur që terminologjitë administrative osmane, sidomos toponimet e shekullit XIX, të figurojnë në dokumente të shekullit XIII?; si është e mundur që veshja kombëtare e serbëve dhe të serbeve të jenë ato të shqiptarëve dhe të shqiptareve të sotëm?; si është e mundur që vojvodë (kujdestarë, mbrojtës) të kishave dhe manastireve serbe të ishin shqiptarët (ata të manastirit të Deçanit – Demukajt të fisit Gash), të manastirit Pejës rugovasit (të fisit Kelmend), të manastirit të Deviçit (në Drenicë) drenicarët e fisit Berishë?; si ishte e mundur në Ulpianë (Graçanicë) të lindë biri i Pal Dukagjinit, Leka III (1410); si ishte e mundur që Pal Dukagjini, ta ketë selinë e principatës së vetë në Ulpianë (Graçanicë), principatë kjo e cila shtrihej nga Peja, Ulpiana e deri në Smederevë (në krahun e djathtë të lumit Danub)?; si ishte e mundur që serbët (shkijet – shqiptarët e skizmatizuar) deri në ditët tona të flasin shqip?; si ishte e mundur që serbët (shkijet) t’i kenë mbiemrat e shqiptarëve: Shala – Shaliq, Gashi – Gashiq, Gjuka – Gjukiq, Pula – Pulaniq, Elezi – Elezoviq, Dashi – Dashiq, Kastrati – Kastratoviq, Nimani – Nemaniq etj. etj. Mirëpo, kurrë nuk mora përgjigje në asnjërën prej këtyre pyetjeve, qoftë individualisht, qoftë institucionalisht.

SHENJA: Si e vlerëson historiografia serbe shpërnguljen e madhe të serbëve në kohën e luftërave austro-osmane 1683-1690 nën patrikun Arsenije Çarnojeviq dhe si arritët ta zbuloni këtë falsifikim?

RIZAJ: Duke i shfrytëzuar kronikat osmane për ngjarjet e zhvilluara gjatë rrjedhave historike, nuk hasa fare në të dhëna për të ashtuquajturën “Dyndje e madhe serbe në krye me patrikun e Pejës Arsenije Çarnojeviq III (1690)”. Ndërkaq, jo vetëm në literaturën serbe, por edhe në shumë enciklopedi botërore, figuron kjo gënjeshtër e madhe. U interesova për burimin. Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve e kishte dërguar anëtarin e saj – Aleksa Iviqin në Vjenë për të bërë hulumtime shkencore. Ai, në Arkivin Shtetëror të Austrisë, me urdhrin e pansllavizmit, disa dokumente që shkonin në dëm të interesave të pansllavizmit, ia doli t’i zhdukë tërësisht, ndërkaq në disa dokumente disa të dhëna historike i ka dëmtuar me ngjyrë. Kur personelit kompetent të Arkivit i bie në sy ky veprim barbar i Aleksa Iviqit, ia marrin të drejtën e veprimtarisë hulumtuese në Arkiv. Mirëpo, Aleksa Iviqi, duke cituar raportin e gjeneralit austriak – Veteran, e botoi studimin e tij me titull: Dyndja e madhe serbe nga Kosova në krye me patrikun ArsenijeÇarnojeviqin III (1690). Studiuesit e huaj, duke i besuar dokumentit të cituar nga Arkivi i Vjenës, e jo përmbajtjes së vërtetë të tij (që nuk e kishin pasur në dorë), e përvetësuan këtë mashtrim të Aleksa Iviqit dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve si botues i këtij studimi. Kështu nisi falsifikimi institucional serb i kësaj ngjarjeje historike. Unë, pas një tentative relativisht të gjatë, më në fund e sigurova origjinalin – në gjermanisht të dokumentit përkatës. Në këtë dokument të gjeneralit austriak Veteran fare nuk bëhej fjalë për dyndjen e serbëve nga Kosova, të cilët në atë kohë nuk kanë ekzistuar fare si kategori kombëtare, madje as në Serbinë e sotme, e aq më pak në Kosovë, por bëhet fjalë për banorët e qyteteve të Kosovës. Prandaj, unë e shkrova studimin “Mbi të ashtuquajturën dyndja e madhe serbe nga Kosova në krye me patrikun Arsenije Çarnoviqin në krye”. Këtë studim e botova në Prishtinë, në Zagreb dhe në Novi Sad. Teza ime, natyrisht, u kundërshtua zëshëm nga historiografia serbe, por u pranua jo vetëm nga historiografia shqiptare, por në masë të konsiderueshme edhe nga shkenca bashkëkohore, sidomos e SHBA-ve.

SHENJA: Kur dhe pse ju ftoi Arkivi i Stambollit në rolin e osmanologut me përvojë në deshifrimin e shkrimeve osmane dhe avancimin e rregullimit të fondeve osmane?

RIZAJ: Në vitin 1985, d.m.th., pas vdekjes së Enver Hoxhës, Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, organizuan një simpozium shkencor ndërkombëtarë katërditor në Beograd dhe në Deçan (në manastir) me temë: ”Kishat dhe manastiret serbe në Kosovë”. Nënkryetari i Akademisë Serbe, Antonije Isakoviq, në fjalën përshëndetëse i premtoi Patrikut të Patrikanës Serbe – German, i cili ishte i ulur në rreshtin e parë, se do të shkojnë në Kosovë për “ta zgjidhur Çështjen e Kosovës!”. Të gjithë ligjëruesit, dy ditë në Beograd, dhe dy ditë në Deçan, me referatet e tyre, kuptohet pa ma përmendur emrin, i sulmonin pikëpamjet e mia shkencore, në mënyrë që unë të gjunjëzohesha para akademikëve të ngjyrave të ndryshme, se Kosova u takon serbëve, sepse në të mirë të kësaj “të vërtete” dëshmojnë kishat dhe manastiret serbe. Në fund të simpoziumit, d.m.th., në ditën e katërt, kryesuesi, Akademik Prof. Dr. Sima Qirkoviq, kur ma dha fjalën, unë me pak fjalë i hodha poshtë të gjitha pohimet e kumtuesve gjatë katër ditëve, duke dëshmuar me burime të shumta historike se kishat dhe manastiret mesjetare të Kosovës janë të shqiptarëve e jo të serbëve, se në Kosovë nuk ka pasur serbë as në Mesjetë e as gjatë administrimit osman. Të gjithë pjesëmarrësit e simpoziumit i ngritën duart për ta kërkuar fjalën. Mirëpo, Qirkoviqi e hetoi se jam shumë i armatosur me fakte dhe hëpërhë e shpalli të mbyllur simpoziumin me këto fjalë: “Prof. Rizaj hapi shumë probleme, të cilët nuk mund të zgjidhen në këtë simpozium. Më vonë do t’i sqarojmë këto probleme me Prof. Rizajn, para se t’i përgatisim materialet për shtyp! Tani të shkojmë në Prishtinë, në hotelin ”Grand”! Duke shkuar në parking të Manastirit të Deçanit për të hyrë në autobusin e Beogradit, mu afrua Prof. Mark Krasniqi dhe me tha: “Skender, mos hyn në autobusin e Beogradit për të udhëtuar në Prishtinë, por hyn në njërën prej tri veturave që t’i kam siguruar, e që ndodhen në parking dhe shko në Pejë!” Unë hyra në njërën prej veturave të pejanëve dhe u strehova te miqtë e mi në Pejë, derisa u shpërnda pak a shumë mjegulla që ua krijova kolegëve serbë!). Pas disa ditësh, më 20 shtator 1985, mora një letër anonime nga një pop serb, i cili kishte qenë prezent në simpozium. Letra ishte koncize dhe me shumë fakte në favor të prejardhjes shqiptare të dinastisë së Stefan Nimanit. Anonimusi e kishte përfunduar letrën në këtë mënyrë: “Na falni që nuk mund të nënshkruaj nën këtë informatë, sepse, si serb frikësohem.”

Meqë edhe kësaj here ia prisha planet pansllavizmit, më 1987 më larguan nga Universiteti i Prishtinës. Por, me të dëgjuar qeveria turke për largimin tim, me ftoi për t’u angazhuar për disa vite në Arkivin e Qeverisë Turke (Başbakanlık Arşivi) në Stamboll në cilësinë e ekspertit-kompetent (uzman), për aftësimin e arkivistëve turq, edhe pse ata ishin me kualifikime superiore shkollore, por unë do të punoja në lehtësimin për deshifrimin e enigmave nga dokumentet osmane. Në sistemimin e dokumenteve ishin të angazhuar edhe disa profesorë të universiteteve të atëhershme turke. Fillimisht hezitova për të shkuar në Turqi, por në fillim të vitit 1989 vendosa të shkoj, gjithnjë me objektiv që krahas detyrës së ofruar të kontribuoj edhe për çështjen shqiptare. Atje nga arkivistet turq mora ofiqin: Hocaların hocasi = Mësuesi i mësueseve.

SHENJA: Sa ishin tolerantë osmanët në përhapjen e fesë islame te shqiptarët?

RIZAJ: Islamizmi muhamedan te shqiptarët e Gadishullit Ilirik (Ballkanit) nuk ka filluar të përhapej në kohën e Perandorisë Osmane (pas shekullit XV), siç mendohet gabimisht, por ka filluar të përhapet që në shekullin X, por me emër të kamufluar – Bogomilizëm, sipas meshtarit Bogomil (në Maqedoni). Në të vërtetë, misionarët myslimanë nga Palermoja (Sicili), që ishte një nga qendrat e islamizmit muhamedan, e sollën në Ballkan idenë e kësaj ideologjie. Një nga gjurmët e këtyre misionarëve është tyrbja e Sari Salltëkut në fshatin Qyshk pranë Pejës. Këtë ideologji të re e pranojnë iliro-arbërit e Maqedonisë, Kosovës, Bosnjës… Meqë mesha në faltore të bogomilëve (të dashurve të Zotit) mbahej në gjuhën sllave, e krijuar nga misionarët bizantinë (hebrenj)m Qirili dhe Metodi, një pjesë e iliro-arbërve gjuhën fetare të bogomilizmit, gradualisht, e bëjnë gjuhë familjare. Me vendosjen e administrimit osman, në shekullin XV, bogomilët u legalizuan dhe u shpallen myslimanë të parë. Pasardhësit e bogomilëve në Maqedoni janë torbeshët e sotëm, në Kosovë janë goranët dhe rahovecasit e sotëm, ndërsa në Bosnje-Hercegovinë dhe në Mal të Z e në Sanxhak janë boshnjakët e sotëm. Në sallnametë (vjetarët) osmanë, boshnjakët quhen arnavut (shqiptarë) që flasin boshnjakisht.

Në kohën e administrimit osman toleranca fetare ka qenë në nivel shumë të lartë, madje ka qenë toleranca më e lartë se në çdo perandori që sundoi para tyre. Sulltani i ka pasur tri poste: padishah – sulltan (perandor); shef i Kishës Ortodokse – Patrikanës ekumene (botërore) me seli në Stamboll dhe halife (përfaqësues i Profetit Muhammed). Sulltani, si shef i Kishës Ortodokse, jo vetëm i emëronte patrikët ekumenë të Stambollit, por edhe patrikët e patrikanave të Jerusalemit, Moskës, Pejës e Sofjes. Me këtë rast do ta vë në pah një fenomen. Më 1973 u mbajt simpoziumi ndërkombëtar i osmanologëve në Mostar, me ç’rast e vizituam manastirin e kishës katolike në Fojnicë. Prifti kroat na tregoi fermanin (urdhrin) e sulltan Mehmedit II (Fatih) (të shek. XV), i cili ishte i varur në mur të manastirit. Prifti na tha: “Ovaj ferman je od našeg sultana Mehmeda II Oslobodioca!” (Ky ferman është nga sulltani jonë Mehmedi II Çlirues!” Ne (pjesëmarrësit e simpoziumit) thamë: Pse po thoni Mehmedi II Çlirues, e jo “Pushtues”?!”“Jo, sulltan Mehmedi II ka qenë Çlirues, sepse na ka çliruar nga detyrimet e rënda të Papatit!. Jo vetëm kaq. Në bazë të këtij fermani ne e kemi ruajtur fenë katolike deri në ditët tona!”

SHENJA: Cila ishte kauza e luftës 25-vjeçare të Gjergj Kastriotit Skënderbeut?

RIZAJ: Luftërat, në atë kohë, zhvilloheshin me marrëveshje, ndërmjet aleancave. Në aleancën e krishterë, në krye me princ Lazërin (iliro-arbër e jo serb) përfshiheshin Gjon Kastrioti, princat dukagjinas etj., ndërsa në aleancën myslimane, në krye me princin Murati I, përfshiheshin disa princër nga Anadolli dhe Ballkani, po ashtu shqiptarë. Princi Lazër, meqë të birin, Stefanin, e kishte të mitur, e caktoi për trashëgimtar dhëndrin Milosh Kopilin (po ashtu arbër nga Drenica) nëse do të vritej në betejën e supozuar. Po ashtu, edhe princi Murati I e kishte caktuar për trashëgimtar të birin, Jakubin, nëse do të vritej në betejën e supozuar. Mirëpo, biri tjetër i Muratit I, Bajazidi, i revoltuar, u mor vesh me dhëndrin tjetër të Lazërit – Vukun (po ashtu arbër) që ky ta vriste Lazërin dhe baxhanakunMiloshin, e Bajezidi ta vriste babain – Muratin I, dhe të vëllain Jakubin. Kështu, këta të dy bëhen aleatë në pushtime të mëtutjeshme. Ky komplot u sendërtua me sukses. Maje, jo vetëm kaq. Bajazidi (1360-1389-1403), duke u martuar me Marijën, të bijën e Lazërit dhe Milicës, u bë dhëndër i shqiptarëve të Kosovës. Pas kësaj ngjarjeje, Gjon Kastrioti, Pal Dukagjini, Nikollë Dukagjini e Progon Dukagjini kaluan në aleancë të Bajezidit, me ç’rast me timare (prona) i zgjeruan principatat e tyre. Gjon Kastrioti, e, me sa duket edhe Nikollë Dukagjini, i dhanë peng djemtë e tyre.

Biri i Gjon Kastriotit, Gjergji, u vendos në Edrene, ku në Shkollën e Pallatit u islamizua dhe u arsimua. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe biri i Muratit II – Mehmedi II, e kishin kujdestar, edukator dhe arsimtar Zognos (Zogaj) Mehmet Pashën nga Vuçitërna (Viçitrina – Vushtria e Kosovës). Gjergj Kastrioti – Skënderbeu tregoi talent të madh dhe u shqua si strateg. Si i këtillë ai pati sukses t’i zgjeronte territoret e Principatës Osmane në Ballkan, deri te lumi Danub, në veri, dhe deri në Greqi, në jug. Skënderbeu nënshtroi shumë principata në Anadoll. Sipas marrëveshjes së lidhur mes Gjon Kastriotit dhe Muratit II, Gjon Kastrioti u emërua si sanxhakbej i Sanxhakut të Shqipërisë (Sancak-i Arvanid) (835 H. / 1431), timaret (pronat për shfrytëzim) e të cilit shtriheshin në veri edhe në Kosovën e sotme. Pas vdekjes së tij, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu duhej të emërohej për sanxhakbej të Sanxhakut të Shqipërisë. Ky ishte i vetmi sanxhak me karakter kombëtar. Sanxhaqet e tjera quheshin sipas emrit të selisë së sanxhakut: Sanxhaku i Shkupit, Sanxhaku i Viçitrinës, Sanxhaku i Smederevës, Sanxhaku i Shkodrës etj. Mirëpo, pas vdekjes së Gjon Kastriotit, Murati II nuk e emëroi Gjergj Kastriotin – Skënderbeun për sanxhakbej të Sanxhakut të Shqipërisë, madje nuk ia besoi as postin e sadriazemit (kryetarit të Qeverisë) për arsye se ia kishte frikën për shkak të aftësive të tij dhe karakterit të palëkundur. Sipas sheriatit, sulltani dhe sadriazemi i kishin të drejtat e barabarta. Sulltani e emëronte, e shkarkonte, dhe e dënonte sadriazemin,– madje edhe me vdekje. Po ashtu edhe sadraizemi, në raste të caktuara, mund ta shfronësonte dhe dënonte sulltanin, madje me vdekje. Kështu, ka ndodhur edhe me vrasjen e MuratitI në Kosovë. Divani – Këshilli Ministror e ka marrë vendimin për ta vrarë Muratin, kuptohet me arsyetim. Atij iu ka komunikuar vendimi i Divanit, me nënshkrimin e sadriazemit, dhe ai është pajtuar me dënimin. Pastaj xhelati (ekzekutori) e ka vrarë. Për këtë arsye, më 1443, kur duhej të zhvillohej beteja me hungarezët, në krye me Jan Huniadin, në afërsi të Nishit (1443), Skënderbeu e sabotoi dhe së bashku me Pal Dukagjinin, i cili ishte sanxhakbej i Sanxhakut të Smederevës, si dhe me disa qindra shqiptarë, u arratis dhe shkoi në Krujë, ku e krijoi shtetin mesjetar shqiptar. Pra, Skënderbeu ishte njëlloj nukleusi i unifikimit të popullit shqiptar dhe pikë e rëndësishme referimi për nacionalizmin shqiptar të shekullit XIX dhe krijimin e kombit dhe shtetit modern shqiptar.

SHENJA: Çfarë përfituan shqiptarët në kohën e Perandorisë Osmane?

RIZAJ: I vetmi përfitim i shqiptarëve në kohën e sundimit pesëshekullor të Perandorisë Osmane ishte fakti se osmanët, nuk e imponuan me dhunë ndërrimin e fesë, por as të dokeve dhe zakoneve tradicionale, nëpërmjet të të cilave shqiptarët e ruajtën identitetin e tyre kombëtar, ndonëse gjatë shekujve një pjesë e madhe e tyre kaloi në islam. Pra, në mënyrë të tërthortë shqiptarët përfituan nga ardhja e osmanëve, sepse po të vazhdonte jetën e vet Perandoria Bizantine edhe për një apo dy shekuj, nëpërmjet Kishës Ortodokse dhe administratës bizantine, e cila e përdorte greqishten dhe sllavishten, pjesa më e madhe e shqiptarëve do të greqizohej dhe sllavizohej.

 

SHENJA: A kishte karakter fetar apo kombëtar lidhja e Prizrenit dhe ajo e Pejës?

RIZAJ: Gjithsesi kishin karakter kombëtar. Madje, ideologë të tyre, ishin: Mithat Pasha (sadriazem: 1876-1877), myfti Ymer Prizreni, Pashko Vaso (Vaso Pashë Shkodrani) (katolik) (nënvali i Vilajetit të Kosovës dhe Vali i Vilajetit të Libanit), Jeronim de Rada (arbëresh nga Italia), Mulla Haxhi Zeka, Jani Vreto(ortodoks nga Toskëria), Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, etj. etj. Vetëm publicistika dhe propaganda serbe dhe greke ia kishin veshur këtyre dy lidhjeve shqiptare karakterin fetar, sepse nëpërmjet kësaj insinuate llogarisnin ta paralizonin lëvizjen kombëtare shqiptare.

SHENJA: Cila ishte struktura e popullsisë në Kosovë gjatë shekujve XV-XVI?

RIZAJ: Popullsia e Kosovës, gjatë këtyre shekujve, ishte pa asnjë dyshim mbi 90% shqiptare. Këtë fakt e kam dokumentuar në shumë publikime të mia gjatë këtyre dekadave të fundit, por referencën më të mirë e gjeni në monografinë “Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVIII (Administrimi, ekonomia, shoqëria dhe lëvizja popullore)”, publikim ky i shtëpisë botuese “Rilindja” në vitin 1982.

SHENJA: Duke ju referuar teksteve shkollore që përdoren në Republikën e Kosovës, a mësohet mjaftueshëm historia shqiptare e periudhës së sundimit osman? A do të duhej vërtetë të rishkruhet kjo histori apo mbase të evitohen formulime të caktuara që irritojnë eventualisht kombin turk?

RIZAJ: Ndonjëherë nuk është edhe aq më rëndësi sa është vëllimi i madh i tekstit për një periudhë historike, por me rëndësi është që ajo që shkruhet të ketë interpretim të drejtë dhe të mbështetur në rezultatet e fundit të historiografisë. Sigurisht se ka mangësi dhe, madje, edhe interpretime jo të drejta dhe gabime materiale në tekstet aktuale shkollore. Kjo është vërtetuar më se një herë, por këtu nuk është faji vetëm i autorëve të këtyre teksteve, por edhe i shtëpive botuese dhe financuesve të këtyre teksteve, sepse zgjedhin autorë të cilët jo vetëm që nuk janë kompetent për shumicën e fushave historike për çka shkruajnë, por as nuk i përcjellin risitë në historiografi. Pra, jo rrallë sheh edhe formulime të huazuara nga libra që janë botuar para jo më pak se tridhjetë vjetëve. Ndërkaq, sa i përket pyetjes a do të duhej të rishkruhej historia, mendoj se kjo nuk është një temë tabu, e as nuk duhet ta irritojë askënd. Historia dhe historiografia në fakt janë një organizëm i gjallë, që evoluon dhe varësisht nga hulumtimet dhe dokumentacioni i gjetur, nxitë edhe ndryshime në interpretim të një ngjarjeje apo të një epoke të tërë. Nuk ka nevojë të nxjerrët një ligj ose e ndonjë vendim ministror me të cilin do “të urdhërohej” rishkrimi i historisë. Ky rishkrim bëhet çdo ditë nga vet historianët dhe është një proces i natyrshëm dhe i pandalshëm. Sa i përket formulimeve në tekstet shkollore, në rastin konkret lidhur me Perandorinë Osmane dhe kombin turk, parimisht pajtohem që duhen të evitohen formulimet fyese dhe të vrazhda, por këtu qëndron edhe një keqkuptim, apo gabim i tekstshkruesve. Deri në vitin 1912, kur faktikisht përfundon administrimi osman në trojet shqiptare, është gabim i madh që në vend të Perandoria Osmane të shkruhet Turqia, dhe në vend të osmanët të shkruhet turqit. Perandoria Osmane jo vetëm që ishte tejet multietnike, por turqit e sotëm që e krijuan shtetin modern turk, ishin minoritet në atë perandori. Përveç sulltanit, që ishte koka e perandorisë, pjesa më e madhe e qeveritarëve, qoftë në nivelin qendror, qoftë në nivelin lokal, nuk ishin turq. Madje, edhe ato reparte ushtarake ndëshkuese që bënin krime mbi popullatën shqiptare, sidomos gjatë shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX nuk ishin turq, por ishin kryesisht kurdë etj.

SHENJA: Administrimi osman në trojet shqiptare solli me vete edhe ndryshime rrënjësore jo vetëm në rrafshin politik, por edhe në atë ekonomik, kulturor, religjioz etj. Edhe vendbanimet ishin ndryshuar gjatë shekujve, duke marrë pamjen e qyteteve orientale. Megjithatë, historiografia shqiptare dëshmon se bartës kryesorë të ngritjes së objekteve religjioze dhe publike, të ngritjes së institucioneve kulturore, edukative dhe arsimore ishin shqiptarët e jo osmanët. A pajtoheni me konstatimin se në Shqipëri apo Arnavutlluk gjatë shekujve u krijua një kulturë specifike e cila do të mund të përkufizohej si kulturë shqiptare me frymë orientale islame.

RIZAJ: Po, gjithsesi pajtohem me këtë konstatim. Për më tepër, gjatë këtyre dy dekadave të fundit jo vetëm që e kam mbështetur këtë tezë, por edhe i kam nxitur disa kandidatë të doktoratës që disertacionet e tyre ta kishin pikërisht këtë përmbajtje. Ata argumentuan me shumë fakte relevante nga arkivat dhe nga përshkrimi artistik i objekteve të trashëgimisë historike dhe kulturore se shumica e këtyre objekteve janë ngritur sipas sistemit të vakëfit nga vetë shqiptarët, se mjeshtër të tyre ishin vet shqiptarët dhe se ata që i shfrytëzuan këto objekte ishin sërish shqiptarët. Pra, përkufizimi si kulturë shqiptare me frymë orientale duhet të jetë i drejtë.

SHENJA: Kur flitet në popull për shekujt e gjatë të administrimit osman në Shqipëri, shpeshherë me dinjitet të theksuar përmendet fakti se shqiptarët i dhanë Perandorisë Osmane mbi tridhjetë kryeministra ose sadriazemë dhe shumë njerëz të tjerë të shquar të kohës. A do të duhej vërtetë të krenoheshim me ta ose, mbase siç komentohet ndonjëherë, nuk ia vlen të përmenden se ata nuk kishin bërë asgjë për Shqipërinë?

RIZAJ: Mendoj se këtu ka edhe keqkuptim, por edhe interpretim qëllimisht të shtrembëruar. Është fakt i pamohueshëm se ne si popull i lashtë evropian më shumë se dy mileniume i kemi takuar sferës kulturore oksidentale, mirëpo si rezultat i rrethanave historike trojet shqiptare për pesë shekuj u futën në sferën politike dhe kulturore orientale, ndonëse nëpërmjet elementit katolik shqiptar nuk qenë shkëputur në tërësi lidhjet me oksidentin. Duke e përqafuar më masë më të madhe se të tjerët Islamin, shqiptarët fituan poste të larta në shtetin osman, madje mbi tridhjetë kryeministra (sadriazemë) dhe shumë admiralë flote e komandantë të famshëm ishin të origjinës shqiptare. Por, edhe shumë shkrimtarë, arkitektë dhe studiues shqiptarë u dalluan me veprat e tyre monumentale gjatë shekujve osmanë. Siç e thash edhe më herët, ajo Perandori Osmane ishte një shtet i përbashkët i gjithë popujve ballkanikë për disa shekuj dhe nëse nuk dëshirojmë të ndjehemi krenarë për veprat e tyre, së paku nuk duhet të turpërohemi nga ta, sepse në mënyrë të tërthortë i kemi bindur edhe miqtë edhe armiqtë se shqiptarët kanë afinitet dhe aftësi, qoftë qeverisëse, qoftë luftarake, qoftë intelektuale, që të drejtojnë shtet, madje edhe perandori, ashtu që në momentin e duhur historik të tillët do të dinin ta krijonin dhe drejtonin edhe shtetin e tyre kombëtar. Se pse nuk u sendërtua kjo arsyeja ishte pikërisht te obstruksionet e pansllavizmit. Pastaj, ne vazhdimisht krenohemi që i kemi dhënë sa e sa perandorë Perandorisë Romake, sa e sa perandorë Perandorisë Bizantine. Atëherë pse të kemi animozitet ndaj figurave kolosale të Perandorisë Osmane që kishin origjinë shqiptare. Pse, bie fjala, sot e kësaj dite shumë sportistë dhe artisë kosovarë, që kishin bërë emër në Jugosllavinë e Titos, lavdërohen pa kompleks për të arriturat e tyre në atë shtet jugosllav dhe askush nuk e diskuton këtë. Pra, duhet të lirohemi nga ky lloj kompleksi, sepse megjithatë ata shekuj osmanë nuk mund te fshihen, sepse ajo është edhe historia jonë.

 

SHENJA: Pse Porta e Lartë dhe, përgjithësisht, sulltanët osmanë kishin një qëndrim aq të prerë lidhur me moslejimin e shkollimit të shqiptarëve në gjuhën amtare, në kohën kur këtë të drejtë pa asnjë kryengritje e fituan të gjithë popujt fqinjë të shqiptarëve?

RIZAJ: Edhe pse po bie që shpesh ta përmendim pansllavizmin, edhe në këtë segment ai luajti një rol shumë të madh. Por, është edhe një fakt tjetër që duhet patjetër të përmendet. Shqiptarët, si një popull vital dhe jo i vogël për nga numri, që në shumicë e kishin përqafuar Islamin, konsideroheshin nga Sulltani dhe Porta e Lartë si elementi etnik më i rëndësishmi në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane. Nga gjysma e dytë e shekullit XIX Perandoria Osmane mund ta llogariste ekzistencën e saj në Ballkan vetëm duke u mbështetur në potencialin shqiptar, si një mburojë e gjallë para kërcënimit rus. Çdo ide që qonte në drejtim të emancipimit kombëtar shqiptar, me këtë edhe kërkesa për shkolla dhe gjuhën shqipe, ishte ide e trishtueshme për Portën e Lartë, sepse kjo do ta nënkuptonte fuqizimin e nacionalizmit shqiptar dhe me këtë edhe mundësinë reale që edhe shqiptarët të shkëputeshin, siç ndodhi në ndërkohë me popujt ortodoksë të Ballkanit.

 

SHENJA: Pse shqiptarët në kohën e Lidhjes së Prizrenit dhe Lidhjes së Pejës kërkonin autonominë e Shqipërisë e jo pavarësinë?

RIZAJ: Kërkesa për autonomi e jo për pavarësinë e Shqipërisë në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe pastaj të Pejës ishte e arsyeshme. Madje, edhe disa diplomatë britanikë të kohës, që njiheshin si pro zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare, e vlerësuan se pavarësia eventuale e Shqipërisë, që asokohe (fundi i shekullit XIX) nuk kishte përkrahje serioze të asnjë Fuqie të Madhe, do të behej pre e shteteve ose monarkive të sapokrijuara ballkanike, të cilat në vijimësi e kishin përkrahjen ruse ose austriake. Rilindësit shqiptarë kishin kontakte të vazhdueshme me diplomatë të huaj dhe duke e vlerësuar kontekstin e rrethanave ndërkombëtare, si dhe kontekstin e brendshëm të Perandorisë Osmane, arritën në përfundimin racional, se më e drejtë ishte që fillimisht të kërkohej dhe të luftohej për autonominë e Shqipërisë, në mënyrë që duke u njohur kombi shqiptar të njiheshin në vija të trasha edhe kufijtë e një Shqipërie etnike autonome, për ta parandaluar vazhdimin e copëtimit të saj të justifikuar nga Kongresi i Berlinit.

 

SHENJA: Sa i kushtohet sot rëndësi osmanologjisë në universitetet shqiptare, si dhe mësimit të gjuhës osmane nga studiues të rinj shqiptarë. A do të duhej ta ndjekim shembullin e SHBA-ve dhe të shteteve të përparuara të Evropës Perëndimore, të cilët gjatë dekadave të fundit i kanë kushtuar një rëndësi primare studimit të historisë së Perandorisë Osmane?

RIZAJ: Duke e pasur parasysh faktin se ishim për shekuj të tërë pjesë integrale e Perandorisë Osmane, është e natyrshme që osmanologjisë do të duhej t’i kushtonim vëmendje më të madhe. Gradualisht kjo vetëdije është duke u avancuar, ndonëse akoma sot e kësaj dite mungon vizioni dhe mbështetja serioze e institucioneve përgjegjëse shtetërore në këtë drejtim. Gjatë viteve të fundit, nëpërmjet fondacioneve të ndryshme të Republikës së Turqisë, një numër studiuesish të ri nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia i kanë orientuar specializimet e tyre pikërisht në këtë fushë. Kjo sigurisht është pozitive, megjithatë universitetet e sotme shqiptare, publike dhe private, do të duhej të mendonin seriozisht edhe për hapjen e departamenteve të veçanta për studimin e historisë dhe kulturës së Perandorisë Osmane. Po ashtu, do të duhej financuar edhe projektet shkencore dhe puna hulumtuese nëpër arkivat turke dhe ballkanike për pasurimin sa më të madh të fondeve të arkivave shtetërore të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

* Kjo intervistë është realizuar në vitin 2013 si pjesë e punimit të diplomës në kuadër të Fakultetit të Filologjisë pranë Universitetit të Prishtinës./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne